Blloqet e lira të naftës, del në ankand edhe Blloku B, aplikimet deri në 10 tetor

Nga Nertila Maho 17/09/2016

Qeveria ka rritur intensitetin për kalimin e blloqeve të lira të naftës tek privatët e interesuar për kërkimin e naftës duke e përfituar këtë të drejtë përmes ankandeve. Pas Bllokut të Panajasë, 5 dhe C duket se Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës ka vendosur të kalojë të drejtën e shfrytëzimit edhe për Bllokun B.

Ky bllok ndodhet në zonën e Rodonit në pjesën perëndimore të vendit. Afati i fundit për subjektet e interesuara mbi këtë bllok për aplikimet është data 10 tetor 2016 ndërkohë që për tre blloqet e tjera afati është 30 nëntori. Blloku B ka një një sipërfaqe prej 776 km2. Nisur nga punimet sizmike të kryera, puset e shpuar dhe stili tektonik i vërtetuar më në jug, në këtë bllok prognozohet struktura e Gjuricës Perëndimore, si dhe ngritjet e Gjuricës dhe Rinasit. Në total rezultojnë 13 puse të shpuara në Ishëm, Fushëkuqe, Thumanë, Adriatik dhe Miloti. Qeveria do të publikonte fillimisht një hartë me 13 blloqe të lira por deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje të mbyllur me sukses edhe pse ka pasur disa shpallje. Për Dumrëne dhe Bllokun 4 prej një vitit thuhet se po vazhdojnë negociatat për termat ekonomike me Shell dhe Navitas mbi të drejtën e kërkimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit në këto Blloqe përmes shfrytëzimit nga nënshkrimi i një kontrate koncensionare.